Lajme Shqip Sunday, 04 September 2011 10:48

Tiranë – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, do të nisë punën për hartimin e planit të ri urbanistik, më 8 shtator, gjatë takimit që do të ketë me përfaqësuesit më në zë të botës akademike dhe ekspertë të tjerë të njohur të fushës së arkitekturës dhe urbanizimit.

Në procesin e hartimit të planit të ri urbanistik për Tiranën, do të përfshihen shumë ekspertë dhe personalitete të njohura, sidomos ato të universiteteve dhe botës akademike, të njohur për paanshmërinë e tyre dhe mospërfshirjen në interesa klienteliste. Procesi i hartimit të planit do të jetë transparent dhe do të mundësojë përfshirjen dhe dëgjimin e zërit të qytetarëve.

Parimet kryesore që do të kihen parasysh gjatë këtij procesi, janë zhvillimi i qëndrueshëm i qytetit, që do t’i hapë rrugën zhvillimit ekonomik dhe mjedisor të Tiranës duke nxitur dhe hapjen e vendeve të reja të punës në qytet. Harmonizimi i interesave publike dhe interesave private që do të rezultojë në mbrojtjen e hapësirave publike dhe atyre të gjelbra. Harmonizimi me komunat dhe bashkitë përreth Tiranës dhe arritja e një konsensusi sa më të gjerë me banorët e Tiranës.

Plani i ri urbanistik do të synojë gjithashtu përmirësimin e transportit publik, lehtësimn e trafikut, përmirësimin e sistemit të mbledhjeve dhe trajtimit të mbeturinave urbane dhe bërjen e Tiranës një qytet më të jetueshem dhe më atraktiv për banorët e tij.

Gjithashtu, plani do të synojë zbatimin e një formule të menaxhimit të pronës private në mënyrë që të evitojë spekullimet dhe të sigurojë një shpërndarje sa më të drejtë të përfitimeve të zhvillimit.