Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 09:00

Tiranë – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha shprehu dje, gjatë një takimi me Avokatin e Popullit,  Igli Totozani, angazhimin e tij për krijimin e një task- force për identifikimin dhe më pas për regjistrimin e romëve, banorë të Tiranës.

Basha e vlerësoi veprimin e bujtjes në institucionin e Avokatit të Popullit të 8 familjeve rome, si një akt fisnik.

Të dyja palët u angazhuan për një bashkëpunim të ngushtë dhe të frytshëm në të ardhmen lidhur me trajtimin e ankesave të qytetarëve të Tiranës për çështje jetike prioritare.

Në këtë kuadër kryebashkiaku Basha bëri të ditur se, në Bashkinë e Tiranës funksionojnë  prej afro 6 muajsh, pranë zyrës se Avokatit të Qytetit, dy njësi që kanë të bëjnë me Komisionerin e të Drejtave për Barazinë Gjinore dhe Komisioneri për komunitetet vulnerable,  të cilat do të japin një kontribut të rëndësishëm kundër diskriminimit.

Nga ana e Avokatit të Popullit u vlerësuan disa iniciativa të Bashkisë së Tiranës, të ndërmarra vitin e kaluar, në të cilat u përmend dhe kontrolli i çmimeve në tregje gjatë festave të fundvitit.

Avokati i Popullit kërkoi një koordinim me Bashkinë e Tiranës për çështjen e regjistrimit të romëve, duke menduar për rrugë ligjore, nëpërmjet të cilave do të mundësohen lehtësira financiare ndaj tyre.

Të dyja palët ranë dakord të ngrenë pika kontakti të qëndrueshme dhe të nënshkruajnë brenda një kohe të shkurtër një memorandum bashkëpunimi në fusha prioritare si, barazia gjinore, mbrojtja e pakicave, shkëmbimi i informacionit me avokatin e qytetit, etj.

Në përfundim Avokati i Popullit dhe Kryetari i Bashkisë pranuan të jenë bashkorganizatorë të një mbrëmjeje bamirësie në favor të romëve në nevojë.