Lajme Shqip Monday, 25 July 2011 16:42

Tiranë – “Dua të ritheksoj përkushtimin tim për të bashkëpunuar me ju, pavarësisht se cilës parti i përkisni”, ka nisur fjalën e tij, Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, pas ceremonisë së betimit para anëtarëve të Këshillit Bashkiak.

Duke i uruar punë të mbarë Këshillit Bashkiak, kryetarëve të 11 njësive vendore të Tiranës dhe me falenderimet ndaj qytetarëve të kryeqytetit për këtë privilegj, Basha siguroi se “administrata ime do të jetë gjithëpërfshirëse ku çdo parti politike do të gjejë përfaqësinë, duke pasqyruar në këtë mënyrë vetë familjen tonë të përbashkët, Tiranën”.

Ai u shpreh se sot nis një rrugëtim të ri për të ndërtuar Tiranën që ne të gjithë duam dhe e ëndërrojmë. “Sot ne fillojmë punë për përmbushjen me sukses të këtij misioni. Pritshmëritë e bashkëqytetarëve tanë janë të mëdha sot dhe më të drejtë sepse të mëdha janë edhe mundësitë që shtrihen para nesh”, nënvizoi Basha.

Duke pohuar faktin se gjërat nuk mund të ndryshojnë brënda ditës, Basha shprehu bindjen se ndryshimet do të  vijnë më shpejt nëse të gjithë do të punojmë së bashku.

“Sigurisht që gjatë rrugës do të hasim pengesa, trajektorja mund të ndryshojë dhe ky rrugëtim mund të jetë më i gjatë, por ne sërisht do të arrijmë në destinacion dhe do të mund të ndërtojmë Tiranën që çdo qytetar i saj ëndërron”, shtoi Basha.

Sipas tij, edhe pse procesi zgjedhor në Tiranë, u zgjat përtej normales, ia vlejti pas ishte e  rëndësishme që çdo votë të numërohej dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohej.

Kreu i Bashkisë së kryeqytetit siguroi se me të njëjtin përkushtim, sikurse gjatë fushatës, do të vazhdojë të dëgjojë zërin e qytetarëve në këtë rrugëtim të ri.

“Një rrugëtim i gjatë që na pret sepse unë besoj se pa dëgjuar zërin tuaj, askush nuk mund t’u shërbejë e aq më pak t’u bëjë ju pjesë të bashkëqeverisjes tek e cila unë besoj fort’, deklaroi Basha.

Ai bëri të ditur se duke nisur nga e mërkura e kësaj jave do të hapë dyert e Bashkisë për gjithë qytetarët dhe derisa të takohet më të gjithë.

Sipas tij, Bashkia i përket gjithë qytetarëve të saj dhe jo një apo disa partive politike dhe çdo qytetar ka të drejtë të marrë pjesë në bashkëqeverisje.

“Duke filluar nga e premtja tjetër do të realizoj një nga premtimet e bëra gjatë fushtës për të përcaktuar oraret zyrtare të takimeve me qytetarët në mënyrë që ju të takoni bashkëkryetarin tuaj dhe të bisedoni personalisht me të për problemet tuaja apo për mendimet që mund të keni në lidhje me zhvillimin e komunitetit ku banoni”, deklaroi Basha.

Gjithashtu Basha evidentoi faktin se për një kohë të gjatë Bashkia e Tiranës u shndërrua në një arenë e  konfliktit politik.

“Sherrnajat politike nuk mund dhe nuk duhet të jenë qëllim në vetvete”, tha Basha, ndërsa e cilësoi normale që partitë politike të kenë mendime dhe vizione të ndryshme, pasi kjo është ajo çka demokracia mundëson, përballje vizionesh për një qeverisje më të mirë”, tha Basha.

Por konflikti politik tejkaloi çdo masë dhe fatkeqësisht u bë më i rëndësishëm se sa vetë produkti që presin qytetarët, tha Basha, duke shtuar se “Bashkisë së Tiranës nuk i takon të jetë pjesë e këtij konflikti dhe është koha që të gjitha partitë politike të punojnë së bashku për të vendosur interesat e qytetarëve të Tiranës të parin”.

Basha premtoi se administrata e drejtuar prej tij do të bëjë gjithçka për të hapur vende të reja pune, ndërtimin e një Tirane moderne dhe europiane, përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ofruar dhe që qytetarët të kenë zërin e tyre në vendimmarrje.

“Ne do të ndërtojmë parqe dhe shkolla, do të shtrojmë rrugë dhe trotuare, do të ndërtojmë unazën e re dhe tramvaje dhe do të zhvillojmë pronën private. Do të investojmë në art, kulturë dhe sport, do të pastrojmë ajrin dhe rrugët tona, do të tërheqim investime në turizëm dhe do ta trajtojmë çdo qytetar, çdo anëtarë të familjes tonë të madhe me respekt dhe dinjitet”, nëvizoi ai.