Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 16:24

Tiranë – Asfaltimi i rrugëve, gjelbërimi, pastrimi, strehimi, ambientet çlodhëse për të moshuarit, kënde lojrash për fëmijët, biblioteka dhe mundësi për të penetruar falas në internet, ishin disa nga kërkesat që banorët e njësisë bashkiake numër 3 në Tiranë i bënë kandidatit të maxhorancës “Aleanca për qytetarin” për kryetar Bashkie, Lulzim Basha.

Basha i garantoi banorët s’e realizimi i kërkesave të tyre do të jetë prioritet i punës së tij në krye të bashkisë së Tiranës.

Pasi u njoh me problemet e shumta që shqetësojnë banorët e kësaj njësie, Basha tha se “si dhe në lagje të tjera të Tiranës, infrastruktura është tejet e amortizuar dhe e lënë në harresë prej vitesh. Vende-vende dallohet vetëm një shtresë e asfaltit të hedhur në kohë zgjedhjesh”.

Në ditën e tetë të fushatës, kandidati për kryebashkiak në Tiranë preku nga afër problemet specifike të zonave të ndryshme të Tiranës.

Basha në mbrëmje, bashkë me bashkëshorten, Aurela, ndoqën operan “Traviata” në çeljen e sezonit artistik në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë.

Lulzim Basha ka në platformën e tij edhe gjallërinë e jetës kulturore në kryeqytet.