Lajme Shqip Friday, 27 April 2012 19:08

Tiranë -Kryebashkiaku Lulzim Basha priti në një takim ambasadorin e ri të Britani së Madhe në Tiranë, Nicholas Cannon, të cilit i prezantoi projektet për zhvillimin e Tiranës, ku zhvillimi ekonomik, punësimi dhe përmirësimi i cilësisë së jetës, janë fokusi kryesor.

Basha u ndal në projektin e zgjatimit të bulevardit dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës, një projekt që prek 20 % të territorit të Tiranës.  Shtatë ndër 20 studiot më të mira të botës morën pjesë në këtë konkurs. Dy kompani të njohura me seli në Britaninë e madhe, DAR dhe Grimshaë, vazhdojnë të jenë ende në konkurim dhe pritet që së bashku me miratimin nga grupi strategjik, të draftit të parë të Planit Rregullator, të përzgjidhet edhe fituesi i këtij konkursi.

Dy projekte të tjera strategjike janë janë edhe ndërtimi i terminalit dhe i dy linjave të tramit për të cilat ka një interes të madh. Basha tha se biznesi britanik është i mirëpritur të bëhet pjesë e projekteve të zhvillimit të Tiranës, ndërsa garantoi se bërja e Tiranës një qytet atraktiv për investitorët, është prioriteti i tij. 

Zoti Basha bëri të ditur se në javët e para të muajit Maj, drafti i detajuar i Planit Rregullator të Tiranës do t’i dorëzohet Grupit Strategjik, për një vendimarrje të parë që do t’i hapë rrrugën procesit të konsultimit me publikun. Ambasadori Britanik z. Nicholas Cannon shprehu mbështetjen e tij për Bashkinë e Tiranës duke vlerësuar prioritet e zotit Basha. Ai u shpreh tepër entuziast nga qyteti i Tiranës, një qytet të gjallë, siç e cilësoi ai. Basha dhe Cannon diskutuan edhe për vendosjen e një bashkëpunimi mes Tiranës dhe Londrës duke vlerësuar se eksperiencat e kryeqytetit britanik janë të vlefshme për realizimin e projekteve dhe vizionit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës. (LajmeShqip.com)