Lajme Shqip Monday, 08 July 2013 14:27

Tiranë – Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli në Sarandë dhe Delvinë për votë të deformuar në favor të koalicionit të majtë në këto zgjedhje.

Megjithatë Basha nuk e ka marrë ende guximin për të sulmuar direkt LSI-në për këtë çështje, siç ka bërë rivali i tij në këtë garë, Sokol Olldashi.

 “2011 është një tjetër provë, që një bashkim zemrash e mendjesh dhe një vullnet fitues bëri të mundur largimin e kryesocialistit nga pushteti, çuarjen e tij në opozitë. Jam i bindur, kam besim të plotë se prapë të bashkuar dhe bazuar në vullnetin e zemrave dhe mendjeve të çdo demokrati e demokrateje, pa përjashtim, unë do ju udhëheq përsëri drejt largimit të kryesocialistit nga pushteti që ka marrë dhe kthimin e tij në opozitë. Pasi të jemi siguruar se zëri i çdo anëtari dëgjohet, është detyra jonë të ndërtojmë instrumentet tona, për të thithur të gjithë atë energji pozitive si dhe për të pritur të gjithë atë pakënaqësi që pritet të shkaktojë qeverisja e pritshme prepotente, arrogante, korruptive dhe abuzive e Edi Ramës dhe koalicionit të tij të votës së deformuar”, deklaroi Basha, raporton tema.

Basha ka bërë të ditur se një nga iniciativat e para të PD nën drejtimin e tij, do të jetë hapja e zyrave të posaçme në të gjithë territorin e vendit, për të evidentuar dhe mbrojtur çdo punonjës të administratës i cili do të përballet me largimin nga puna.

“Aksioni ynë politik duhet të nisë menjëherë. Ne do të luftojmë me të gjithë mjetet për të mbrojtur shërbimin civil nga revanshi që pritet të fillojë, përmes ngritjes së zyrave të posaçme në të gjithë territorin e vendit, për të evidentuar çdo rast abuzivizmi të tillë, ngritjen e grupeve të posaçme juridike, në mënyrë që në përputhje me ligjet e vendit, kushdo që guxon të ngrejë hapa të tillë, të përballet në mënyrë të menjëhershme, nëpërmjet sistemit juridik shqiptar, me faturën ligjore, financiare dhe politike të një abuzivizmi të tillë”, tha Basha.