Lajme Shqip Tuesday, 25 February 2014 12:28

Demokratët paralajmërojnë rishikimin e marrëdhënieve me Parlamentin. Qëndrimi u theksua dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të selisë blu, nga kreu i kësaj partie, Lulzim Basha. Në diskutimin me dyer të mbyllura, Basha ka ritheksuar rishikimin e qëndrimit në Kuvend. Ai ka pohuar më tej se do të vijojnë protestat në gjithë vendin si dhe do të mbështetet protesta e nisur tashmë për rreth 20 ditësh nga shoferët e furgonave 8+1. Më herët Basha u ka bërë thirrje publikisht deputetëve PD-së të dalin në terren të informojnë elektoratin për vendimet si dhe për vazhdën e protestave që opozita do të ndërmarrë në varësi të keqqeverisjes.

 “Me ngjarjet e fundit në Kuvend, ku ligji dhe Kushtetuta u ekzekutuan përsëri me urdhrin politik të Ramës dhe Metës, ne do të rishikojmë marrëdhëniet tona me Kuvendin, në funksion të misionit tonë për mbrojtjen e ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë. Ne nuk do të pranojmë t’i japim legjitimitet Parlamentit të një shumice që ka zgjedhur të bëhet gijotina e ligjit dhe Kushtetutës. Kjo, le të jetë java e intensifikimit të kontakteve të secilit prej jush me zgjedhësit tanë, me qytetarët anembanë vendit për të informuar mbi rrezikun vdekjeprurës   për shtetin, demokracinë dhe liritë, të veprimeve të fundit të shumicës Rama-Meta dhe për të marrë mendimet e tyre në funksion të vendimeve tona”, – tha ai. Kryetari i PD-së deklaroi se protestat e reja varen nga keqqeverisja.

 “Populli sovran do të marrë në dorë fatin e tij, gabohen rendë ata që mendojnë se me dinjitetin e qytetarëve mund të luhet. Shqipëria në protestë është puna jonë si opozitë. Do të rishikojmë marrëdhëniet tona me Kuvendin, në funksion të mbrojtjes së ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë”,- u shpreh Basha. Kryetari i opozitës akuzoi qeverinë për krijimin e monopoleve, rritjen e pasigurisë, kontrabandës dhe korrupsionit në vend. “Monopole kontrabandë e korrupsion evident.

 E njëjta gjë po ndodh në fushën e rendit, vrasjet dhe pasiguria vetëm rriten. Trafiku i drogës ka kapur nivelin e maunes. Në protestë bashkohet mbrojtja e demokracisë dhe mbrojtja e bukës së gojës”,- theksoi lideri i opozitës. Më pas, me propozim të ish-kryeministrit Berisha, grupi parlamentar i PD-së mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave në Ukrainë. “Të mbajmë një minutë heshtje për demokratët e Ukrainës, të cilët u flijuan për liritë, vokacionin perëndimor të kombit dhe dheut të tyre,”- u shpreh Berisha.