Lajme Shqip Tuesday, 09 July 2013 14:25

Tiranë – Kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij, për drejtimin e Partisë Demokratike para anëtarëve të kësaj partie, në njësitë bashkiake 8, 9 dhe 10, në kryeqytet. Basha ka theksuar në këtë takim, vizionin e tij të drejtimit të PD, anëtari i kësaj partie do të jetë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes. Zëri i anëtarit, – theksoi Basha, do të dëgjohet në përzgjedhjen e kandidaturave drejtuese e kandidatëve për deputetë, drejtuesve vendorë etj. 

“Çdo anëtar i Partisë Demokratike, që këtej e tutje duhet dhe do të ketë vendin, për të thënë fjalën e tij, nga veprimet taktike në terren deri tek përzgjedhja e kandidaturave drejtuese, deri tek përzgjedhja e kandidatëve për deputetë. Për mua, është hapi i parë drejt fillimit të ri. Ju garantoj se me përkushtimin tim dhe përkushtimin tuaj, do ta nxjerrim përsëri në opozitë kryesocialistin dhe do i rikthejmë pushtetin PD” – u shpreh z. Basha. 
Basha ka theksuar se demokratët, nën drejtimin e tij do u rikthejnë shpejt shqiptarëve mazhorancën morale, pasi mazhoranca e re dëshmoi se është kundër interesit të qytetarëve dhe është vetëm mazhorancë pazaresh, raporton bw. 
“Përballemi sot me një mazhorancë që është standardi më i ulët i së kaluarës 22 vjeçare. Ata janë Shqipëria e dredhive dhe e pazareve. Ata janë Shqipëria e mashtrimit dhe e tjetërsimit, një mazhorancë me sy të babëzitur drejt pasurive publike të shqiptarëve. PD duhet të jetë gati t’i përgjigjet, si mazhoranca morale e shqiptarëve dhe e qytetarëve shqiptarë kudo ku ndodhen”, shtoi Basha.  
Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Lulzim Basha ka theksuar se në themel të fillimit të ri qëndron evidentimi i plotë i kontributeve të anëtarëve të PD dhe vlerësimin e përhershëm të këtij kontributi. 
“Analiza duhet dhe do të fillojë me evidentimin e plotë të kontributit të anëtarësisë së PD ndër vite. Nuk ka dhe nuk mund të ketë një fillim të ri, pa bërë të mundur që gjithçka që anëtarët e PD japin dhe kanë dhënë ndër vite, të evidentohet dhe të kthehet në një kapital të çmuar politik për forcën tonë politike dhe jo të harrohet në krye të çdo fitoreje”, theksoi Basha.