Lajme Shqip Wednesday, 16 October 2013 16:37

Tiranë- Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka mbledhur sot Konventën Kombëtare të të zgjedhurve vendore demokratë. Ai ka paralajmëruar të zgjedhur vendorë demokratë për situatë të vështirë financiare me të cilën ata do të përballen, pas ardhjes në pushtet të të majtëve.

“Ka ndodhur rrotacioni. Në pushtet kanë ardhur të majtët. Ky është një fakt që e kemi njohur duke e pranuar si dhunti europiane. Pavarësisht nga rezultati, duhet të jemi krenarë me arritjet e qeverisë së kryeministri Berisha, që zhvilloi zgjedhjet më të mira dhe hapi përfundimisht statusin e vendit kandidat. PD plotësoi një nga një të gjitha kriteret dhe kjo qeveri s’ka ç’të bëjë tjetër veç të shkojë në Bruksel, ta marrë statusin në emër të shqiptarëve.  Nuk do të ishim realist të thonim që me qeverinë socialiste të ishte njësoj si me atë të PD-së. Nuk dua të paralajmëroj problemet që na presin me qeverinë Rama. Programi i qeverisë vendore është konfuz dhe në hava. Duhet të presim draftin e ri të buxhetit të shtetit për të kuptuar se çfarë ka mbetur nga vizioni dhe standardi i PD-së për të mbështetur me fonde projektet e pushtetit vendor.  Por, shenjat janë se do të jenë jo sfida, por sfidime. Duhet të përgatitemi për t’u përballur me një situatë të vështirë, duke u nisur nga financimet dhe paligjshmërinë e arbitraritetit qendror” tha Basha./tema/