Lajme Shqip Tuesday, 19 February 2013 14:12

Bruksel –  Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot në Bruksel kryetarin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuy.

Thaçi ka falënderuar diplomatin evropian për mbështetjen e bllokut, ndërsa ka theksuar përkushtimin e autoriteteve kosovare për konsolidimin e duhur të shtetit të Kosovës.

Duke folur për takimin me homologun e Serbisë, Ivica Daçiq, i cili do të zhvillohet po sot në Bruksel, Thaçi ka thënë se qëllim i këtyre bisedimeve nuk është që Kosova dhe Serbia të mundin njëra-tjetrën, por të lëvizin përpara, drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

“Besoj se në këto bisedime do të ngadhënjejnë vlerat evropiane dhe të kemi fqinjësi të mirë ndërshtetërore”, ka thënë Thaçi.

Herman van Rompuy ka kujtuar se Kosova duhet të përmbushë kriteret afatshkurtra, në lidhje me sundimin e ligjit, tregtinë, administratën publike dhe mbrojtjen e minoriteteve, si kusht për të avancuar në procesin evropian.
Diplomati i BE-së ka inkurajuar Thaçin që të tregojë konstruktivitet edhe në takimin e sotëm me Daçiqin.

“Rezultatet konkrete në dialog janë esenciale për përparimin në rrugën evropiane, edhe për Kosovën, edhe për Serbinë”, ka thënë Rompuy.

Thaçi ka takuar sot edhe presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
Raundi i pestë i bisedimeve Thaçi-Daçiq pritet të zhvillohet në orët e pasdites. Në fokus të takimit të sotëm është thënë se do të jetë çështja e strukturave paralele të Serbisë në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nisi sot takimet në Bruksel në kuadër të raundit të pestë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryeministrave. Bashkimi Evropian e quan pikërisht këtë raund si më të rëndësishmin dhe më të vështirin, sepse do të hapen temat e vështira, përfshirë edhe veriun e Kosovës.

Thaçi dha një konferencë të përbashkët për shtyp me kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ku ky i fundit theksoi se brenda muajit qershor do të nënshkruhet Marrëveshja e Asociim-Stabilizimit me Kosovën, nëse përmbushen kriteret, raporton BW.

I pyetur sesi mund të arrihet konsensus në Bashkimin Europian, kur 5 shtete ende nuk e kane njohur Kosovën si shtet, Barroso tha se KE nuk ka kompetencë të ndërhyjë në vendimet e shteteve anëtare.

“Ne nuk e kemi këtë kompetencë ta njohim në emër të vendeve anëtare. Pavarësisht këtij fakti që jo të gjitha e kanë njohur ne po punojmë në integrimin e Kosovës në BE. Po përgatitemi për Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit, dhe po ecim konkretisht drejt kësaj. Nëse ka progres, ne brenda Qershorit do të bëjmë progres konkret për Marrëdhëniet e Asociim-Stabilizimit”.

Barroso shtoi se viti 2013 do të jetë vit kyç për integrimin europian të Kosovës, ndërsa kërkoi më shumë angazhim nga lidershipi kosovar në drejtim të sundimit të ligjit dhe integrimin e pakicave. Barroso vlerësoi edhe progresin e bërë përsa u përket kritereve për liberalizimin e vizave duke thënë se BE është i vetëdijshëm që kjo është një çështje shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

Nga ana e tij kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vlerësoi ndihmën e Komisionit Europian duke premtuar angazhim të vazhdueshëm për përmbushjen e kritereve të kërkuara në kohë rekord.
Por nga ana tjetër Thaçi u shpreh se Kosova është e vonuar në proceset e integrimit në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

“Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që nuk mund të lëvizin të lirë në vendet e BE-së, këto janë më shumë pengesa teknike se sa politike”,-u shpreh Thaçi. Kryeministri i Kosovës ndodhet në Bruksel në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd që vazhdon sot me takimin e pestë me homologun serb Ivica Daçiç.(LajmeShqip.com)