Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 14:48

Prishtinë – Kryetari i Komisionit Evropian, Zhose Manuel Baroso, do të vizitojë në pjesën e dytë të javës qe vjen disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Në agjendën që është bërë publike nga Komisioni Evropian, nuk përmenden hollësi rreth vizitës së Barrosos, pos që thuhet se mes datave 7 dhe 9 prill presidenti i Komisionit Evropian, Baroso dhe komisionari Shtefan Fyle, do të kenë një vizitë zyrtare në Ballkanin Perëndimor.

Baroso do të nisë vizitën në Zagreb, më 7 prill, do të vazhdojë në Sarajevë, pastaj Podgoricë dhe ta përfundojë në Shkup.

Ai, pra, do të shmangë Kosovën, Serbinë dhe Shqipërinë. Disa diplomatë të vendeve të BE-së mendojnë se Kosova po shmanget nga liderët ndërkombëtarë për shkak të imazhit të keqësuar të liderëve kosovarë, që këta të fundit e quajnë një lloj padrejtësie, sepse asgjë nuk është dëshmuar nga akuzat qe janë bërë.

Disa burime thonë se BE-ja zyrtarët kosovarë i takon “gjysmëilegalisht” edhe për të mos e irrituar Serbinë dhe pesë shtetet anëtare të cilat nuk e njohin Kosovën, prandaj edhe nuk mund ta trajtojnë Kosovën si shtet.