Lajme Shqip Saturday, 27 August 2011 16:43

Nju-Jork – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, në raportin e rregullt për Kosovën fton të gjitha palët që të përmbahen nga hapat e njëanshëm, të cilët mund të rrezikojnë përparimin e arritur në dialogun Kosovë-Serbi dhe bën apel që të mos ketë më ngritje të tensioneve.

Situata e përgjithshme e sigurisë në veri të Kosovës në periudhën prej 16 prillit deri më 15 korrik, e cila përfshihet në raport, ka qenë kryesisht e qetë, por tensionet janë ngritur nga fundi i kësaj periudhe, thuhet në raportin, i cili do të prezantohet në seancën e Këshillit të Sigurimit të KB-ve, ditën e hënë.

“Në veri të Kosovës, tensionet mbeten arsye për shqetësim. Në këtë aspekt, edhe më tej theksoj fuqishëm se çështja e ndjeshme lidhur me veriun e Kosovës mund të zgjidhet vetëm përmes mjeteve paqësore në bazë të konsultimeve me të gjitha komunitetet në terren dhe pa veprime të njëanshme”, thuhet në raport.

Ban Ki-Mun fton të gjitha palët që të përmbahen nga aksionet, të cilat mund të dëmtojnë përparimin e arritur në dialog dhe të shtojnë tensionet dhe kërkon që të punojnë bashkërisht, me qëllim të shmangies së përkeqësimit të mëtejmë të situatës.

Sekretari i përgjithshëm i KB-së ka shprehur kënaqësinë që në periudhën e përfshirë dialogu është intensifikuar dhe ka sjellë rezultate konkrete disa muaj pas nisjes së tij në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Përshëndes marrëveshjet e arritura në fushën e lirisë së lëvizjes, librave amzë dhe diplomave akademike, dhe kërkoj nga Beogradi dhe Prishtina që plotësisht të angazhohen për zbatimin e tyre”, theksohet në raport.

Ban, poashtu, përshëndet rolin e BE-së në dialog dhe u ka bërë thirrje vendeve të Unionit që të inkurajojnë palët që me vullnet të mirë të angazhohen për zgjidhjen e vështirësive tjera.

Ai, megjithatë, ka shtuar se numri i të kthyerve në Kosovë mbetet në “nivel dëshpërues”. Në raport thuhet se në Kosovë vullnetarisht janë kthyer 244 persona në tre muajt e kaluar.

Ban Ki-Mun ka falënderuar Lamberto Zanierin, mandati i të cilit ka përfunduar më 1 korrik, ndërsa thekson se prioritet i UNMIK-ut mbetet përparimi në aspektin e sigurisë, stabiliteti dhe respektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë dhe rajon.

Ndër të tjera në këtë raport thuhet se autoritetet e Kosovës kanë përqendruar vëmendjen në konsolidimin e tyre dhe sigurimin e stabilitetit institucional dhe gjatë kësaj periudhe këto autoritete kanë shtuar përpjekjet për vendosjen e bashkëpunimit të ngushtë me BE-në.

Në raport më tej thuhet se serbët në veri kanë shprehur pakënaqësi me dialogun, me vlerësimin se ky është një hap drejt pranimit të pavarësisë së Kosovës, derisa serbët në jug janë shprehur pozitivisht ndaj bisedimeve Kosovë-Serbi.

Sekretari i përgjithshëm i KB-së, ka theksuar se Policia e Kosovës ka demonstruar profesionalizëm më të madh në luftën kundër kontrabandës, tregtisë me njerëz dhe shpëlarjes së parave.