Lajme Shqip Tuesday, 24 July 2012 20:44

Prishtinë – Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, gjatë qëndrimit në Prizren, të martën, ka vizituar bashkësitë më të mëdha fetare, ku gjatë bashkëbisedimit me liderët religjiozë ka bërë thirrje për tolerancë ndëretnike dhe ndërfetare, si çelës për arritjen e paqes jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon dhe më gjerë.

I ulur këmbë kryq në mes të Xhamisë së Sinan Pashës, pranë udhëheqësve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, sekretari i organizatës më të madhe botërore ka theksuar se dëshiron që të shoh në vepër ndërveprimin e bashkëjetesës fetare dhe etnike, e që sipas tij është parim i veprimit të OKB-së.”Njerëzit janë të lirë të besojnë siç kanë dëshirë. Vizita ime në Prizren është bërë me qëllim që të shoh ndërveprimin e bashkëjetesës fetare dhe etnike. Kosova është një shoqëri shumë etnike dhe shumë fetare dhe në kuadër të kësaj njerëzit duhet ta gjejnë harmoninë dhe gjuhën e përbashkët të komunikimit. OKB-ja gjithnjë angazhohet për avancimin e kësaj bashkëjetese”, ka thënë Ban Ki-moon.

Gjatë paraqitjes që ka bërë në xhaminë më të bukur të Prizrenit, Ban ka cilësuar se liderët fetarë mund të luajnë rol të rëndësishëm në avancimin e procesit të paqes dhe mirëkuptimit mes njerëzve pavarësisht nga dallimet që ekzistojnë mes tyre.

Para se të jepte mesazhin e tij, Ban ka vizituar klerin katolik në Katedralen e Zonjës Ndihmëtare dhe atë ortodoks në Kishën e Shën Gjergjit. Vizita e shefit të OKB-së ka zgjatur rreth një orë. Gjatë kësaj kohe shiu ka rënë pandërprerë. Ai ka zbritur me helikopter në bazën e KFOR-it gjerman në Prizren, ku nën përcjellje të forcave të shumta të rendit është ndalur së pari në Kishën Katolike. Aty është pritur nga kancelari i Kishës Katolike, Don Shan Zefi. Ky i fundit i ka shprehur “mirëseardhje të madhe sa vet Kisha” e Zonjës Ndihmëtare. Kleriku katolik ka përkujtuar se vizita e Ban-it ka nderuar shqiptarët dhe gjithë etnitë tjera që jetojnë në Kosovë.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki -moon pasditen e së mërkurës përmes vijës ajrore,  ka ateruar në bazën e KFOR-it italian në Deçan, dhe më pas i përcjellë nën masa të rrepta sigurie, ka vizituar Manastirin e Deçanit ku u prit nga igumeni i Manastirit Ati Sava Janjiq. Kleriku serb  e njoftoi sekretarin e përgjithshëm të OKB-së për historikun e Manastirit dhe për, siç u shpreh ai, mënyrën e mbrojtjes së tij ndër shekuj.Ndërkaq Ban Ki -moon duke bashkëbiseduar me atin Janjiq gjatë vizitës që i bënin Manastirit,  ka thënë se duke parë Manastirin e Deçanit tash e tutje pas vizitës që i bëra këtij monumenti të trashëgimisë kulturore i cili është edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s, do të ja di vlerën më shumë’.

“Unë paraprakisht tek institucionet e  Kosovës përcolla mesazhin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, e cila është  njëra ndër kërkesat tona”, i ka thënë ai atit Janjiq në brendinë e Manastirit. Ndërkaq pas takimit me dyer të mbyllura me klerikët e manastirit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së nuk ka pranuar të flasë për media. (LajmeShqip.com)