Lajme Shqip Wednesday, 08 August 2012 12:36

New York – Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka bërë vërejtje për mungesë uniteti brenda bashkësisë ndërkombëtare lidhur me Kosovën.
Kështu thuhet në raportin e tij të përgatitur për mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit kushtuar Kosovës që do të zhvillohet me 21 gusht.

Vërejtja më serioze bëhet, për shkak të mungesë së një konsensusi të gjerë brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe ky fakt sipas raportit, vështirëson shumë arritjen e kompromiseve të domosdoshme mes palëve në procesin e zgjidhjes së problemeve midis Kosovës dhe Serbisë, citohet Ban Ki Moon.

Sipas mediave serbe të Beogradit të cilat thonë se kanë siguruar raportin e Ban Ki Moon-it, ky i fundit bën vërejtje edhe për politikat për kthimin e minoriteteve në Kosovë.

Po sipas informacioneve të mediave serbe, me 21 gusht në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit pritet që Rusia të akuzojë Kosovën se është përzier në çështjet të brendshme të Libisë dhe Sirisë, siç thuhet aty, për te ashtuquajturin trajnimin e rebelëve opozitarë nga këto dy vende. (LajmeShqip.com)