Lajme Shqip Saturday, 04 May 2013 14:07

New York – Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka përgatitur raportin e radhës për Kosovën. Në të ai i ka njoftuar gjerë e gjatë vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit për marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për ç’gjë ka vendosur që gati gjithë raportin ta shkruajë me nota pozitive.

“Marrëveshja që ka 15 pika ofron krijimin e një asociacioni/komuniteti që do të ketë një varg kompetencash dhe statut”, shkruan Ban, transmeton “Tribuna”.

Ai e ka përmbledhur marrëveshjen e edhe me dy pika të tjera duke shtuar se ajo mundëson mbajtjen e zgjedhjeve në veri nga OSBE-ja si dhe shpreh zotimin e të dyja palëve për të mos e penguar njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së, raporton Tribuna.

Në raport vërehet qartë se marrëveshja për veriun mes Kosovës e Serbisë e ka lumturuar shefin e OKB-së Ban Ki Moon. Prandaj, ndryshe prej herëve të tjera, në këtë raport Ban i është shmangur kritikave për çështjen e sigurisë dhe ka thurur elozhe për liderët e Kosovës dhe Serbisë me rastin e arritjes së marrëveshjes.

Ai e ka lavdëruar edhe përfaqësuesen e lartë të BE-së Catherine Ashton, për përpjekjet në dialog, si dhe ka kërkuar nga palët dhe komuniteti ndërkombëtar që të vazhdohet me përkushtimin e njëjtë.

Raporti, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta,  përfshin periudhën tremujore prej 16 janarit deri më 22 prill. Hartimi i tij qe shtyrë për disa jave në pritje të marrëveshjes në Bruksel. Ai u është dorëzuar shteteve anëtare të OKB-së të premten në mëngjes sipas orës së New Yorkut.