Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 08:10

Tiranë- “Minoriteti grek në Shqipëri është një urë e rëndësishme e miqësisë midis dy vendeve, ashtu sikurse edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, të cilët kanë rritur urat e komunikimit, duke bërë që kjo miqësi të jetë solide”, tha sot Presidenti, Bamir Topi, gjatë një vizite që zhvilloi në Komunën e Vriserasë, në Dropullin e Sipërm, në Gjirokastër.
    

Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, gjatë kësaj vizite, Kryetari i Shtetit u prit nga kryetari i Komunës, Kristo Duci, këshilltarët komunalë, autoritete të tjera vendore e banorë vendas.    

Duke i’u drejtuar të pranishmëve në takim, Topi tha se “aty ku ka dialog dhe harmoni midis njerëzve  institucionet funksionojnë më mirë dhe vendimmarrjet janë më të mira në favor të komunitetit”.    

Topi inkurajoi punën e pushtetit vendor, sepse sipas tij, “pushteti vendor është më afër qytetarit dhe merret me shërbimet ndaj tij”.    

“Në zonat minoritare kemi një mundësi specifike për të vlerësuar projektet ndërkufitare, të cilat do të ishin me vlera të veçanta për të gjithë komunitetin. Projektet e komunës, por edhe të qeverisë bëjnë të mundur që edhe investimet të shtohen në këtë zonë”, tha Topi.    

Kreu i Shtetit siguroi se “minoriteti në Shqipëri do të gjejë vazhdimisht klimën e duhur për të jetuar sipas standardeve dhe për të qenë në vendimmarrje, në Komunë dhe në Qark, për të gjitha projektet”.    

“Ne e vlerësojmë atë miqësi, e cila konsiderohet tradicionale jo vetëm në kohët e shkuara, por edhe në kohët moderne me Greqinë, një vend fqinj gjeografik, por edhe një partner i rëndësishëm në të gjithë rrugëtimin tonë të përbashkët në familjen euroatlantike. Ne i jemi mirënjohës Greqisë për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë për t’u bërë vend anëtar i NATO-s, por edhe tani, në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Topi.    

Duke inkurajuar miqësinë mes dy vendeve, Topi tha se “sfidat tona janë të përbashkëta duke qenë pjesë të rëndësishme me kulturën dhe traditat respektive të secilit vend dhe me kulturën e përbashkët të familjes evropiane”.   

“Dëshiroj që ju, si përfaqësues të zgjedhur të këtij komuniteti, të kontribuoni më tej që kjo frymë e komunikimit të jetë gjithmonë e pranishme dhe për të krijuar mundësi që në këtë zonë të shtohet edhe mundësia e ndërtimit dhe e realizimit të projekteve ndërkufitare”, përfundoi Topi.    

Në përfundim të vizitës, Presidenti Topi u njoh nga afër me punën dhe veprimtarinë prodhuese të dy ndërmarrjeve vendase, duke vënë në dukje rëndësinë e nismave të tilla, jo vetëm për zhvillimin e ekonomisë vendase e më gjerë, por edhe në aspektin social-ekonomik.