Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 21:19

Tiranë – Sot në mesditë, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar, mori pjesë në hapjen e Samitit të 14-të Euro-Aziatik, që po zhvillohet në Stamboll nga data 13-15 prill 2011.

Sipas Zyrës së Shtypit të Presidencës, gjatë punimeve të këtij Samit të rëndësishëm ekonomiko-politik, rajonal, Presidenti Topi ka ndjekë seancën mbi energjinë, ku u diskutuan bashkëpunimi rajonal dhe çështjet energjitike. Presidenti Topi më pas do të takohet dhe të shkëmbejë pikëpamje edhe me organizatorin dhe Drejtuesin e Forumit të “Marmarasë”, Dr. Akan Suver, me Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, me ish-Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu si dhe me shumë personalitete të larta si ish-presidentë, ish-kryeministra, ministra dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Kryetari i Shtetit shqiptar zhvilloi sot pasdite një vizitë të veçantë në Bashkinë e “Bajram Pashasë” ku u prit me nderime nga Kryetari i Bashkisë, Atila Ajdëner, nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, bashkëkombas, si dhe nga qindra banorë e nxënës, shumica e të cilëve valëvisnin flamuj kombëtarë shqiptarë. Për nder të Presidentit të Shqipërisë u dha edhe një shfaqje me vallëtarë të veshur me kostume popullore. Në këtë Bashki, e cila mbulon një zonë të Stambollit ka një përqendrim të madh të emigrantëve shqiptarë ndër dekada dhe Bajram Pashai ka bërë binjakëzim me qytetin e Shkodrës si dhe gëzon një bashkëpunim shumë të mirë e të ngushtë edhe Elbasanin dhe Beratin.

Kryetari i Shtetit shqiptar u nderua me titullin ”Qytetar Nderi” i Bashkisë së Bajram Pashasë, pas vendimit unanim të Këshillit Bashkiak, me motivacionin: ”Në shenjë nderimi për popullin shqiptar, me të cilin kemi përvoja të përbashkëta në aspektin historik dhe kulturor” dhe më pas, gjatë një ceremonie solemne, iu dorëzua ”Çelësi i Artë i Qytetit”.

Duke shprehur mirënjohjen për këtë nderim të lartë, Presidenti Topi theksoi se, “Dëshiroj t’ju përcjell përshëndetjet më të zjarrta të popullit shqiptar! Populli shqiptar dhe populli turk e kanë farkëtuar miqësinë e tyre historike dhe tradicionale ndër shekuj. Prandaj ndihem shumë i nderuar nga mikpritja vëllazërore në Bajram Pasha, sepse ka në vetvete pjesë nga historia e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona. Ne sot jemi dy vende jo vetëm miq dhe aleatë në NATO, por po përpiqemi të thellojmë dhe zgjerojmë edhe bashkëpunimin ekonomik, siç e demonstron edhe pjesëmarrja në Samitin e 14-të Euro-Aziatik”.