Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 18:52

Shkup – Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, të premten, do të qëndrojë për vizitë njëditore zyrtare në Maqedoni.

Ai është i ftuar nga homologja e tij maqedonase, Gordana Jankullovska, ndërsa në kuadër të vizitës janë paraparë edhe takime midis zyrtarëve të lartë të drejtorive të larta të ministrive të të dyja vendeve.

Në kuadër të kësaj vizite, homologët Jankullovska dhe Rexhepi do të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe që ka të bëjë me patrullat e përziera policore për sigurimin kufitar midis dy vendeve.

Të dy ministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët me mediat.

Është kjo vizita e dytë e ministrit Rexhepi në Maqedoni, pas asaj të vitit të kaluar, kur ai qëndroi në Shkup një ditë pas vrasjes së ish-komandantit të UÇK-së, Harun Aliu-Kushtrimi dhe vrasjes së tre ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së në afërsi të fshatit Radushë të Shkupit.