Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 09:36

Uashington-Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit të tij në Uashington, mbrëmjen e së enjtes u takua me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara, Xhozef Bajden, me ç’rast u konfirmua mbështetja e fuqishme dhe e gjithanshme e Shteteve të Bashkuara për Kosovën.

Siç raportojnë mediat në Prishtinë, duke u bazuar në njoftimin e Kryeministrisë së Kosovës, Thaçi, në takimin e mbrëmshëm, i ka shprehur mirënjohje të lartë zotit Bajden, për rolin vendimtar që kanë pasur Shtetet e Bashkuara në relacion me të gjitha proceset historike, që ndërlidhen me Kosovën, duke përfshirë edhe marrëveshjet e fundit Kosovë – Serbi.

Nga vizita e kryeministrit Hashim Thaçi në SHBA, përkatësisht takimi me zëvendëspresidentin Xho Bajden.

​​Thaçi ka kërkuar nga zëvendëspresidenti Bajden, që Uashingtoni të vazhdojë të luajë këtë rol vendimtar dhe të mbetet promotore e proceseve integruese për Kosovën në strukturat evro-atlantike. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Bajden e ka përgëzuar Thaçin për rolin e liderit në marrjen e vendimeve të guximshme dhe të duhura në interes të Kosovës.

Ai e ka siguruar kryeministrin e Kosovës se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten thellësisht të angazhuara në Kosovë dhe të kërkojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë. Xhozef Bajden përsëri ka theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të palëkundura në mbështetje të plotë të tërësisë territoriale dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës.

Pas Uashingtonit, kryeministri Thaçi e vazhdon turneun në Shtetet e Bashkuara me një vizitë në Nju Jork. Sipas RTK-së, me këtë takim është mbyllur vizita e Thaçit në Shtëpinë e Bardhë, që do të thotë se nuk do të realizohet takimi me presidentin Barack Obama.

Thaçi pritet të bisedojë me sekretarin e Tregtisë së SHBA-së, John Bryson, ndërsa të hënën, me ftesën e ambasadorit Christopher Hill, do të mbajë një ligjëratë në Universitetin e Denverit. Kryeministri i Kosovës pritet të ketë takim edhe me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mon, në Nju Jork, me ambasadorë të ndryshëm në Kombet e Bashkuara, si dhe me kongresistë nga shteti i Neë Yorkut.