Lajme Shqip Monday, 21 September 2015 08:39

Kryetarët e Mitrovicës, Agim Bahtiri (jug), dhe Goran Rakiq (veri), janë përplasur lidhur me pronat e shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe për gjendjen me pronat e serbëve në jug të qytetit. Përplasja erdhi pas një deklarate që dha Bahtiri, i cili ka akuzuar institucionet në veri të Mitrovicës dhe shtetin e Serbisë për pastrim etnik në veri të Mitrovicës, përmes blerjes së pronave të shqiptarëve.

 Ndërsa, në përgjigjen e tij, kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, ka sqaruar se disa shqiptarë në veri po i shesin pronat e tyre, në përpjekje për të ikur nga Kosova, pasi që jetojnë në situatë të vështirë ekonomike, shkruan ‘Zëri’.

Fillimisht, kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, i shqetësuar me rastet e shpeshta të blerjes së pronave të shqiptarëve në veri të Mitrovicës nga ana e shtetit të Serbisë, e cila ndan shuma marramendëse të mjeteve për t’i blerë pronat e shqiptarëve, ka thënë se Serbia nuk po ndalet së pastruari etnikisht lagjet veriore të qytetit të Mitrovicës, tani jo me largim të dhunshëm të shqiptarëve nga atje, por duke ndarë mjete të mëdha për blerjen e pronave të tyre, duke krijuar fonde të posaçme për to.

“Kjo tendencë e shtetit të Serbisë duhet të ndërpritet menjëherë. Duke qenë se institucionet lokale nuk mund ta bëjnë këtë, atëherë kërkoj nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe institucionet tjera të nivelit qendror, që të angazhohen seriozisht për të ndërprerë këtë tendencë të shtetit të Serbisë”, pati deklaruar Bahtiri. /Zëri/