Lajme Shqip Saturday, 08 August 2015 18:33

Presidenti i Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF), Manfred Schmidt, ka deklaruar se më shumë se 90 mijë azilkërkues nga Ballkani në Gjermani duhet të llogarisin tani me sanksione ligjore, si moslejimin e hyrjes në Gjermani për një afat të caktuar.

Schmidt, në një intervistë të dhënë për gazetën gjermane “Die Welt”, ka theksuar se aktualisht Gjermania ka 94 mijë kërkesa për azil nga vendet e Ballkanit në sistem.

“Gati të gjithë ata do të marrin së bashku me njoftimin për refuzimin e kërkesës së azilit, edhe njoftimin tjetër për ndalimin e hyrjes në Gjermania dhe madje edhe ndalimin e qëndrimit. Azilkërkuesit nga Ballkani përbëjnë një ndër grupet më të mëdha të refugjatëve që hyjnë aktualisht në Gjermani, ndërkohë që “vetëm 0,1 deri në 0,2 për qind kanë vërtet arsye për t’iu pranuar kërkesa për azil”, ka thënë kreu i BAMF-së. “Nga 1 gushti ne kemi kompetencën të ndërhyjmë tek e drejta e qëndrimit dhe të vendosim bllokimin e hyrjes në Gjermani dhe një ndalim qëndrimi për të gjithë hapësirën e Shengenit, po qe se kërkesa e këtyre azilantëve për azil është qartësisht e pabazë”, thotë Schmidt.

Një të huaji të dëbuar apo rikthyer në vendin e tij nuk do t’i lejohet hyrja në Gjermani për maksimalisht pesë vjet.

Këto sanksione, të bazuara në reformimin e fundit të ligjit për të drejtën e qëndrimit në Gjermani, mund të prekin jo vetëm azilkërkuesit nga Shqipëria, Kosova e vende të tjera të Ballkanit, por edhe nga Gjeorgjia e Tunizia. Ndërsa, të huajt që janë të integruar mirë në Gjermani dhe deri më tani kanë qenë vetëm më “të toleruar”, për një kohë të caktuar do mund të qëndrojnë.

Ndërkohë, në debatin për shpalljen e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi si “vende të sigurta origjine”, pozicionohet edhe ministri gjerman i Integrimit të landit të Renanisë Veriore-Vëestfalisë, Guntram Schneider (SPD), i cili për shërbimin evangjelist të lajmeve, EPD, u shpreh se nuk shikon ndonjë përparësi nga ky kategorizim.

“Po qe se ne duam të ndalim fluksin e ardhjes, duhet të japim kontributin tonë që të ndryshojnë kushtet e jetesës në këto vende. Duhet bërë presion që në Serbi të drejtat e njeriut të vlejnë edhe për pakica etnike”.

Lidhur me propozimin e fundit të socialdemokratëve për krijimin e mundësive të punësimit për njerëzit nga Ballkani Perëndimor, vijnë sinjale pozitive nga fraksioni i Unionit kristiandemokrat.

Peter Weiß për gazetën gjermane “Rheinische Post” tha se duhet bërë verifikimet për profesionet ku ka mungesë.

“Në këtë mënyrë firmat gjermane mund të punësojnë më shumë punëtorë nga Shqipëria dhe nga Kosova”. /DW/