Lajme Shqip Monday, 07 September 2015 21:45

Avokati i Popullit në Shqipëri, Igli Totozani ka kërkuar nga Qeveria e kryeministri Edi Rama, që të ketë strategji për të dy kategoritë e azilkërkuesve, edhe për ata shqiptarë që kthehen nga Gjermania e që kanë shitur shtëpitë e tyre, dhe për refugjatët nga Siria dhe vendet tjera të luftës nga Lindja e Mesme.

Avokati i Popullit i kërkon qeverisë shqiptare që të krijoj lehtësirat e duhura për ata shqiptarë që kthehen nga Gjermania, pasi sipas tij, dikush mund të ketë shitur shtëpitë apo të ketë humbur vendin e punës.

“Shqipëria duhet të kishte me kohë një strategji dhe një plan masash konkrete për kthimin e tyre sepse kanë lënë pasuritë, shtëpitë, ndoshta dikush edhe i ka shitur etj. Ky plan masash duhet të jetë i mirëpërcaktuar, pasi kemi të bëjmë me një çështje sociale mjaft emergjente për sa i përket riintegrimit të këtyre njerëzve”, tha ai.

Totozani në këtë aspekt përfshinë punësimin, ndihmën ekonomike, krijimin s lehtësirave për banesa sociale.

“Bëhet fjalë për një numër të madh, kështu që nuk duhet të jemi të papërgatitur në këtë drejtim”, deklaroi Avokati i Popullit, i cili do të ketë një grup pune në Aeroportin e Rinasit për të kontaktuar me çdo azilant që kthehet.

Lidhur me azilkërkuesit sirianë, Igli Totozani deklaron se qeveria shqiptare është e vonuar, pasi duhej të ishin krijuar kushtet pritëse, madje dhe duke respektuar të gjithë të drejtat e njeriut.

“Përveç përgatitjeve që duhet të ketë shteti shqiptar që në çdo moment mund të hyjnë në territorin shqiptar njerëz nga vendet në luftëra, duhet t’i presë ata në mënyrë dinjitoze duke respektuar të drejtat e tyre, pra që nga e drejta për azil e deri tek të drejtat tjera që parashikohen në Shqipëri”, deklaroi ai.

Ndryshe, në tetor siç raporton TCH, do të mbahet një konferencë mbi emigracionin me të gjithë ombudspersonët e Mesdheut ku do të marrin pjesë përfaqësues të Bashkimit Evropian, OKB-së, IOM-it e të tjerë organizma ndërkombëtare.