Lajme Shqip Sunday, 06 September 2015 20:30

Pavarësisht kundërshtimeve dhe kritikave të shumta se Ligji për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen financiare të të akuzuarve potencialë të Speciales përbën shkelje të të drejtave të njeriut, tek Avokati i popullit nuk ka asnjë kërkesë nga shoqëria civile për ta iniciuar shqyrtimin e këtij ligji në Kushtetuese, raporton KTV.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, kishte thënë se me t’u publikuar ky ligj në faqen zyrtare, do ta analizojë dhe nëse vëren se përbën shkelje, do ta dërgojë në Kushtetuese për interpretim.

Megjithatë, kjo pak ka gjasë të ndodhë pa e kërkuar një gjë të tillë vetë shoqëria civile.

“Deri më tani, Avokati i Popullit nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga shoqëria civile për ta iniciuar shqyrtimin e pajtueshmërisë së këtij Ligji me Kushtetutën e vendit”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.

Kundërshtimi më i fuqishëm i shoqërisë civile është për nenin 3, ku me buxhetin e Kosovës u sigurohet mbrojtja juridike të akuzuarve potencialë, përcjell koha.net. Kundër është shprehur edhe opozita, ashtu sikurse në total e kundërshtojnë Gjykatën Speciale.