Lajme Shqip Sunday, 09 August 2015 19:30

Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se çdo akuzë në Gjykatën Speciale përpos aspektit juridik, në një masë të madhe do të jetë edhe në atë politik.

Ndonëse janë publikuar disa emra të zyrtarëve të lartë të PDK-së, të cilët mund të jenë në bankën e të akuzuarve, Gashi në një prononcim për “Zërin” thotë se nuk është në dijeni se kush mund të jenë ato.

“Duke pasur parasysh se Gjykata Speciale është gjykatë politike dhe selinë do ta ketë jashtë territorit të Kosovës (në Holandë-Hagë) dhe është e bazuar në raportin politik të senatorit zviceran Dick Marty, çdo akuzë në këtë Gjykatë Speciale përveç aspektit juridik në një masë të madhe do të ketë edhe aspekt politik. Për shkak të kësaj me saktësi nuk mund ta di se kush do të akuzohet në këtë Gjykatë Speciale”, ka thënë ai, për zeri.info.

Sipas Gashit, i vetmi person që e di se kush mund të jetë i akuzuar është prokurori i Gjykatës Speciale, i cili është pasues i prokurorit Clint Willimson.

Më tej, avokati shprehet se duhet të kemi parasysh se edhe prokurori mund ta ndryshojë mendjen ngase ai duhet që përveç provave fajësuese ai duhet të kërkojë edhe prova që e mohojnë fajësinë e dikujt potencialisht të akuzuar.

“Kështu që deri në momentin e fundit të publikimit të akuzave askush nuk mund ta dijë se kush mund të jetë i akuzuar në këtë Gjykatë”, është shprehur ai për zeri.info.

Ndryshe, në media është raportuar se Gjykata, e cila pritet të jetë plotësisht funksionale në rrjedhën e gjashtë muajve deri brenda një viti, do të adresojë akuzat se luftëtarët e UÇK-së janë përfshirë në vrasje, rrëmbime, burgosje të paligjshme dhe persekutim të serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besoheshin se ishin bashkëpunëtorë me regjimi serb apo kundërshtarët politikë të udhëheqjes së UÇK-së gjatë dhe pas konfliktit të viteve 1998-1999.

Ligji i ri për Zyrat Speciale dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar përcakton dhe rregullon organizimin, funksionet dhe juridiksionin e gjykatës së re.

Sipas legjislacionit, të cilin BIRN e ka parë, “dhomat e specializuara” do të jenë të pavarura nga sistemi gjyqësor i Kosovës, por do të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ligji thotë se “dhomat e specializuara do t’i bashkëngjiten çdo niveli të sistemit të gjykatave në Kosovë: Gjykatës së Shkallës së Parë të Prishtinës, Gjykatës së Apelit, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese”. Dhomat do të kenë përparësi mbi të gjitha gjykatat e tjera në Kosovë