Lajme Shqip Monday, 14 September 2015 14:59

Ka vazhduar gjykimi ndaj Besnik Mustafës dhe të tjerëve në Gjykatën Themelore të Ferizajt. Mbrojtja e tij ka vazhduar të insistoj se kjo është drejtësi selektive, raporton KTV

“Në bazë të fakteve del se Prokurori e ka akuzuar Besnik Mustafën sepse ka qenë djali i Isa Mustafës e jo se ka kryer ndonjë vepër penale”, ka thënë avokati i tij, Besnik Berisha që është edhe këshilltar i kryeministrit Mustafa.

Por, prokurori special Ali Rexha e ka mohuar këtë duke thënë se në këtë rast ka edhe të akuzuar tjerë dhe se në kohën e hetimeve nuk ka qenë Isa Mustafa fare kryeministër.

Besnik Mustafa, bashkë me 6 persona të tjerë, akuzohen për vepra penale që ndërlidhen me një fluturim të anuluar të vitit 2009 në Aeroportin e Prishtinës.

Besnik Mustafa, si menaxher i Bankës për Biznes, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, të një garancie bankare që ishte e dedikuar për pasagjerë.

Në mesin e të akuzuarve janë edhe disa ish-zyrtarë të MTPT-së.

Në seancën e sotme dëshminë e tij e ka dhënë Ali Aliu, ish-drejtor i departamentit të aviacionit civil. Ai ka dhënë se në këtë rast nuk është respektuar hierarkia dhe vartësi i tij, Ismajl Berisha ka komunikuar direkt me kabinetin e ish-ministrit, Fatmir Limaj. Ish-shefi i kabinetit, Endrit Shala nuk është paraqitur sot si dëshmitar me arsyetimin se ka pasur një familjar të sëmurë.