Lajme Shqip Wednesday, 02 November 2011 10:14

Avokatët e Ilir Metës kanë reaguar gjatë ditës së sotme në lidhje me raportin e tre ekspertëve shqiptarë, të cilët kanë arritur në përfundimin se video Meta-Prifti nuk është origjinale.

Petrit Serjani dhe Spartak Braho, dy avokatët e Metës, thanë se ekspertët treguan se kjo video është e montuar.

“Në orë nuk u gjet filmimi Meta-Prifti. Në laptop, provë e prokurorisë, kishte ndërhyrje të shumta. Kishte 10 ndërhyrje me aparatura elektronike. Ka ndërhyrje në fashën zanore në videon e transmetuar. Ka ndërhyrje në tik-taket e orës. Ka ndërhyje edhe në pjesët e nxehta të pretenduara”, tha Spartak Braho.

Sipas tij, ka edhe një tjetër fakt interesant, pasi kaseta është prodhuar me 12 janar ndërsa në media filmimi është publikuar me 11 janar.

Ata u janë përgjigjur edhe akuzave se ekspertët janë diletantë, duke thënë se kjo nuk është e vërtetë. Sipas tyre, tre ekspertët shqiptarë janë kompetentë në fushën e tyre.

Ata e quajtën video- përgjimin një skenar që përbën fijet e një komploti me ngjyra të theksuara politike, duke premtuar se në të ardhmen do të paraqesin fakte që do ta dëshmojnë këtë pretendim të tyre.

Avokatët thanë gjithashtu se do të padisin Dritan Priftin, pasi sipas tyre, nuk është e vërtetë që ata janë takuar me ekspertët e videos.