Tiranë – Në mbështetje të forcave të specializuara për shuarjen e zjarreve, si dhe për normalizimin e situatës së krijuar prej afro 10 ditësh në një pjesë të mirë të zonave pyjore në Veri dhe Jug të vendit, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile informon se, “bazuar në marrëveshjet që Shqipëria ka nënshkruar me Mbrojtjen Civile të Italisë, një avion tip Canader italian po kryen operacione për shuarjen e zjarreve të rëna në territorin e vendit.
Nga burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme mësohet të premten se ka qenë ndërhyrja nga ajri e mjetit italian që bëri të mundur eleminimin e vatrës së rrezikshme të zjarrit në Pishë Poro të Vlorës.
Avioni italian Canader mësohet se po sot do do të angazhohet për shuarjen e zjarrit edhe në masivin pyjor të Moravës në Qarkun e Korçës, ku është aktive një vatër problematike zjarri.
Ndërkohë që falë bashkëpunimit me Ambasadën e Turqisë, një tjetër avion Canader turk, po operon në veri të Shqipërisë për shuarjen e zjarreve në Parkun Kombëtar të Lurës, si dhe në territorin e Qarkut të Kukësit.
Nga të njëjtat burime mësohet se operacionet nga ajri do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme, ndërkohë që situata e rënies së zjarreve është lehtësuar ditën e sotme kur janë aktivë vetëm 10 zjarre problematike.