Lajme Shqip Monday, 24 August 2015 17:32

Autostrada Nish-Prishtinë-Durrës, do të jetë një nga temat kyçe të diskutimit në samitin e ardhshëm për Ballkanin Perëndimor, që do të mbahet më datë 27 gusht të këtij viti

Këtë e ka bërë të ditur sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës në Serbi, Dejan Tifunoviq, i cili ka thënë se shteti serb ka përgatitur një variant të gjithë projektit, që do të paraqitet gjatë samitit i cili do të mbahet në Vjenë, transmeton koha.net raportimin e Tanjug-ut.

Sipas kryeministrit Vuçiq, Serbia do të mbulojë rreth 80 për qind të të gjithë projektit, të cilin e cilëson si mjaft të rëndësishëm për të tri shtetet.

Një nga temat tjera ekonomike që pritet të diskutohen në samitin e Vjenës, është edhe ndërtimi i hekurudhës Kralevë-Prishtinë- Shkup.

Këto dy projekte shihen si mjaft të rëndësishme për rrjetin e transportit në Ballkanin Perëndimor.

Gjatësia totale e autostradës do të jetë rreth 384 kilometra, për ndërtimin e të cilës pritet të jepet drita jeshile në samitin e radhës, që do të mbahet pas pak ditësh në Vjenë.