Lajme Shqip Tuesday, 20 November 2012 17:36

Morinë – Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë tashme i lidh edhe një autostradë, por kësaj radhe digjitale, që nënkupton lidhjen digjitale të internetit në mes të të dyja vendeve.

Ky projekt është vlerësuar lart nga kryeministrat e të dyja vendeve, që e thellon edhe më tej bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cili do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Ne realizimin e këtij projekti kanë investuar Posta Shqiptare si kompani publike, si dhe kompania private në Kosovë “Kujtesa”.

Me këtë rast, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në prag të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, lidhja në mes dy vendeve po bëhet edhe më inaugurimin e kësaj autostrade digjitale.

“Sot, tetë ditë para festës së flamurit, kam kënaqësinë e veçantë që në emër të Republikës së Kosovës, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Berisha po e inaugurojmë autostradën tjetër, autostradën digjitale Prishtinë – Tiranë, Kosovë – Shqipëri. Tani në epokën e modernitetit bota investon në infrastrukturën digjitale, pra në shtrirjen e internetit dhe në lidhjet telefonike që i mundëson kjo e arritur e jashtëzakonshme e teknologjisë së lartë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se projekti në fjalë është vazhdim i partneritetit ndërshtetëror dhe shfrytëzimi i resurseve për zhvillim ekonomik të të dyja vendeve.

Autostrada digjitale sipas Thaçit, do të ndihmojë edhe në ngritjen e mirëqenies shoqërore, po ashtu duke përfituar edhe të dy qeveritë, duke shtuar se qeveria e Kosovës do t’i mbështesë projektet që kanë për qëllim zhvillimin ekonomik në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Kurse kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se inaugurimi i autostradës digjitale është edhe një premtim i mbajtur në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ku të rinjtë do të përfitojnë internet shumë më të shpejtë e më cilësorë.

“Me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, inaugurojmë autostradën digjitale të kombit, autostradën në të cilën të rinjtë shqiptarë, qytetarët shqiptarë do të marrin internet më shumicë të shpejtësive më të larta, të brezave më të gjera, të shpejtësisë më të mira. Ky është një dhuratë, ky është një premtim i mbajtur që i bëhet Shqipërisë 100-vjeçare në ketë përvjetor”, ka thënë ai.

Ai është shprehur i vendosur që bashkë me kryeministrin Thaçi të bëjnë gjithçka për të kapërcyer kohet e humbura të shqiptarëve drejt zhvillimit të tyre në përgjithësi.

Për më tepër, në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Kosova dhe Shqipëria do të lidhen edhe më shumë, duke bashkëpunuar si dy shtete edhe në fushën e teknologjisë.

Ky bashkëpunim nënkupton ndërtimin e një linje internet, e cila është menduar të ndërtohet në dy drejtime drejt pikave kufitare Qafë Morinë, ku do të jetë linja primare me kapacitet fillestar 40 GB dhe me mundësi zgjerimi deri në 100 GB dhe pika tjetër është Morina si linje dytësore me kapacitet fillestar 10 GB dhe me mundësi zgjerimi deri në 40 GB.

Përparësitë e projektit janë qasja direkte në rrjetin ndërkombëtar, siguron shpejtësi komunikimi dhe cilësi të lartë me standarde evropiane, kosto të ulët të blerjes dhe gjerësi brezi të garantuar

Po ashtu, ndërtimi i autostradës ishte një investim i disa enteve publike shqiptare dhe enteve private të Kosovës. “Posta Shqiptare” e Shqipërisë dhe “Kujtesa” janë ndër kontribuuesit e projektit të autostradës digjitale, ku Posta Shqiptare ka dhënë 2.6 milionë euro, kurse kompania “Kujtesa” rreth 2 milionë euro. (K.P)