Lajme Shqip Saturday, 03 November 2012 14:43

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke iu përgjigjur zërave, sipas të cilëve, ekipi serb, gjatë vazhdimit të dialogut, ka përfshirë në të ashtuquajturën strategji të tyre, kërkesën e një autonomie substanciale për veriun e Kosovës, ka thënë se kjo është një ëndërr e kamotshme e Serbisë por që nuk do të realizohet kurrë.

Ai ka shtuar se bisedimet politiket me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve do të përfundojnë me njohje reciproke të të dyja vendeve. Thaçi ka shtuar se pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të jetë edhe opozita në Kosovë.

“Kjo ka qenë një ëndërr e kamotshme e Serbisë. Është një ëndërr që nuk do të realizohet kurrë. Një përgjigje të tillë e kanë marrë edhe nga e gjithë bota demokratike, por ajo ide që është prezantuar në mediumet serbe do të jetë e parealizueshme në Kosovën e pavarur, sovrane, me mbështetje të jashtëzakonshme ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të BE-së, shtet që po konsolidohet dhe forcohet çdo ditë, me aspiratë dhe vizion, qëllim dhe siguri të plotë për anëtarësim në NATO, BE, por edhe në OKB. Procesi i normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë do të përmbyllet me njohjet reciproke. Prandaj është një ëndërr që nuk do të realizohet kurrë në Kosovë”, ka thënë ai. (LajmeShqip.com)