Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 09:33

Tiranë – Projekti me kodin 11.022 i një studioje arkitekture nga Vjena (Austri) u shpall sot fitues i konkursit ndërkombëtar për kompleksin e ri parlamentar, duke grumbulluar 88 pikë.

Juria ndërkombëtare, e kryesuar nga arkitekti holandez, Johannes Ibelings, autoritet në fushën e kritikës së arkitekturës, historian arti dhe botues i shumë veprave në këtë fushë, shpalli sot në ambientet e kryesisë së Kuvendit projektin fitues, i përzgjedhur mes 12 projektet të tjera të prezantura nga disa studio të njohura ndërkombëtare.

12 maketet e ekspozuara për rreth dy javë në ambientet e kryesisë së Kuvendit përfaqësonin modelet më të arrira arkitekturore, të kombinuara me elementë të modernes, traditës dhe bashkëkohores.

Ekspozita e maketeve qëndroi e hapur për dy javë për publikun e gjerë, i cili përmes një programi të posaçëm elektronik, votoi për të zgjedhur modelin e preferuar për godinën e re të parlamentit shqiptar.

Kompleksi i ri parlamentar, një projekt ambicioz i qeverisë shqiptare, do të përurohet në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.