Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 09:00

Vjenë– Njëqind e pesëdhjetë ushtarë austriakë do të braktisin Kosovën. Ata gjatë tetë muajve të kaluar ishin të stacionuar në kuadër të trupave të KFOR-it në veriun e Kosovës. Ushtarët austriakë do të zëvendësohen nga ushtarët italianë, ka njoftuar ministri i mbrojtjes Darabos.

Trupat i takonin forcave operative rezerve (ORF-Batallion) dhe ishin vendosur në veriun e Kosovës verën e kaluar, kur gjendja e sigurisë atje ishte përshkallëzuar.

Pas ndërhyrjes së policisë kosovare, me ç`rast qe vrarë një polic kosovar, banorët serbë kishin nisur ngritjen e barrikadave në rrugët e atjeshme, njofton agjencia austriake e lajmeve APA.

150 ushtarët austriakë bënin pjesë së bashku me 550 kolegët e tyre gjermanë në një batalion përforcues, të cilin e kishte kërkuar KFOR-i.

Në trazirat e reja, në nëntor të vitit të kaluar në mes të serbëve të veriut të Kosovës dhe ushtarëve të KFOR-it, kishin pësuar lëndime 11 ushtarë austriakë.

Ndërsa në dhjetor, Prishtina dhe Beogradi kishin arritur një marrëveshje për kontrollimin e përbashkët të vijës kufitare, nën mbikëqyrjen e EULEX-it, transmeton Albinfo raportin e agjencisë APA.