Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 15:40

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Spindelegger, që vendi i tij të ndikojë që sa më parë që Kosovës t’i ofrohet udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave në mënyrë që të përshpejtohet procesi i integrimeve evropiane.

Gjatë një takimi të premten, në Prishtinë, kreu i Qeverisë së vendit, Hashim Thaçi, ka theksuar se vizita e dytë në Kosovë e ministrit austriak, brenda një periudhe të shkurtër, është tregues i qartë i përkushtimit dhe avancimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Shefi i diplomacisë austriake, Michael Spindelegger, ka përkrahur nisjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së dhe ka premtuar mbështetjen e vendit të tij, Austrisë, në proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.