Lajme Shqip Tuesday, 18 August 2015 13:32

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka pritur sot në një takim pune ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Johann Brieger.

Siç bëhet e ditur në një njoftim të MPJ-së, zëvendësministri Selimi e falënderoi ambasadorin Brieger për mbështetjen e fuqishme të Austrisë dhënë Kosovës si një nga partneret më të rëndësishme ekonomike të saj, përmes investimeve gjithnjë në rritje, por edhe nëpërmjet lobimit për afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Selimi dhe Brieger diskutuan për agjendën e Samitit ne Vjenë, që do të mbahet më 27 gusht 2015, në kuadër të “Procesit të Berlinit” të nisur nga kancelarja gjermane Angela Merkel. Ky proces synon të prodhojë rezultate të prekshme përmes bashkëpunimit rajonal të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë projekte në fushat e infrastrukturës, energjisë, bujqësisë. Ata u dakorduan se forcimi i ndërlidhjes në mes vendeve të rajonit dhe e atyre me Bashkimin Evropian përbëjnë faktor kyçë për zhvillim ekonomik dhe vende të reja të punës”, thuhet në njoftim.

Më tej shtohet se ambasadori Brieger e përgëzoi zëvendësministrin Selimi për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare dhe u shpreh se Austria mbetet një avokate e përkushtuar për anëtarësimin e vendit në UNESCO, Interpol dhe në organizma të tjerë globalë, si dhe për integrimin euroatlantik të Kosovës.