Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 13:28

Tiranë – Zëvëndësministri i brendshëm Ferdinand Poni konfirmoi të enjten çeljen e zyrës për aplikimin për letërnjoftimin elektronik dhe pasaportat biometrike ne Athinë (Greqi ).

Në një bisedë telefonike për ATSH-në, nga Athina, Poni duke pohuar këtë fakt tha se, nga sot të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë  në Greqi do të mund të aplikojnë pranë kësaj zyre për t’u pajisur me dokumentat e reja elektronike.

Poni tha se, të hënën një zyrë e tillë do të çelet edhe në Selanik, një nga qytetet kryesore të Greqisë ku banojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh. Ceremonia e çeljes së kësaj zyre, vijoi me nisjen e aplikimit të dokumentave elektronike ku ishte i pranishëm dhe ambasadori i Shqipërisë në Athinë, Dashnor Dervishi.

Në shtetin helen , llogaritet te jetojnë të paktën 500 mijë shqiptarë.

Kjo është zyra e parë për këtë lloj aplikimi, që çelet nga 23 shtatori i vitit të kaluar kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi vendimin për hapjen e katër zyrave për aplikimin e emigrantëve shqiptarë për dokumentat elektronike.

Shumë shpejt pritet që këto zyra të hapen në Romë dhe në Milano(Itali).