Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 09:18

Tiranë – Biznesmeni i njohur në fushën e ndërtimit, Dritan Avllaj, i njohur ndryshe si Tan Lepri,  është qëlluar me armë zjarri nga persona  të panjohur të hipur mbi një motor, teksa udhëtonte me automjetin e tij, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në rrugën “Mihal Grameno” në kryeqytet.

Policia e mbërritur në vendngjarje ka nisur hetimet për zbardhjen e atentatit, ndërkohë që biznesmeni Avllaj  është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, sot ka lënë ambjentet e këtij spitali. Mësohet se  gjendja  shëndetësore e tij eshtë jashtë rrezikut për jetën.

Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë sot për ATSH-në se, “kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, si dhe per kapjen e autorëve të atentatit, nderkohe qe jane shoqëruar disa persona”.

Dritan Avlliaj mësohet se është qëlluar mbrëmjen e së enjtes në rrugën “Mihal Grameno” në kryeqytet, rreth orës 22.15, nga dy persona teksa udhëtonte me makinën e tij të blinduar, të drejtuar nga shoferi i tij.

Për detaje të tjera lidhur me ngjarjen, pritet një deklaratë zyrtare që Policia e Tiranës do të japë për mediat.