Lajme Shqip Monday, 24 August 2015 13:51

Një ndër temat e takimit të nesërm në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Alekdandër Vuçiq do të jetë edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të jetë temë e takimit të 25 gushtit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Në prag të këtij takimi pala serbe vazhdon të këmbëngul në kompetenca ekzekutive që do t`i jepen këtij asociacioni.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë për mediat serbe se Asociacioni ka kompetenca ekzekutive duke sugjeruar që lidhur me këtë të shikohet dokumenti që e kanë harmonizuar Prishtina dhe Beogradi.

Por, ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi i ka thënë Zërit të Amerikës se ky asociacion do të formohet në përputhshmëri me ligjet e Kosovës.

“Ky asociacion nuk do të ketë asnjë karakter ekzekutiv. Është një mundësi që kanë të gjitha komunat tjera në vendin tonë dhe në të njëjtn kohë do të jetë plotësisht në përputhshmëri me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Në anën tjetër njohës të rrethanave politike dhe juridike në vend, theksojnë se Kosova tashmë përballet me dy situata sa i përket formimit të këtij asociacioni. Profesori i së drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti, potencon se situata e parë është mosdhënia e kompetence ekzekutive, që do të ishte pozitive për Kosovë dhe e dyta dhënia e kompetence që do të ndryshonte strukturën juridike.

“Nëse këtij asociacioni do t`i jepeshin kompetenca ekzekutive dhe dhënia e këtyre kompetencave do të nënkuptonte krijimin e një entiteti të ri “shtetëror” që do t`i bënte serbët të qeverisnin në një kuazi shtet dhe kjo normalisht do ta vazhdonte edhe më tutje agoninë ose mbajtjen në distancë të serbëve kundrejt institucioneve tona. Situata e dytë do të kishte edhe reperkusione në kuptimin e ndryshimeve kushtetuese sepse dhënia e kompetencave ekzekutive normalisht që do të ndryshonte strukturën dhe formën e sistemit juridik të Kosovës që do të ishte i ndryshëm nga ai aktual që është i paraparë me Kushtetutë dhe kjo do të sillte edhe probleme të tjera”.

Ndryshe, partitë opozitarë kanë tërhequr vërejtjen se ky asociacion do të ketë edhe kompetenca ekzekutive. Madje, për të kundërshtuar formimin e tij opozita ka paralajmëruar edhe protesta pas 25 gushtit./RTK