Lajme Shqip Monday, 26 August 2013 16:44

Prishtinë – Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve të Këshillit për Mbrojtjen dhe Lirive të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ) dhe Lëvizjes Bashkohu të cilat kanë kritikuar zhvillimet e fundit në këtë institucion fetar.

Në Kuvendin, që u mbajtë javën e kaluar, BIK ka shkarkuar Kryetarin e Kuvendit Xhabir Hamitin, i cili kishte sfiduar Myftiun Naim Tërrnava duke paralajmëruar kandidaturën e tij për pozitën e Myftiut.
“Deklarimi i Lëvizjes “Bashkohu”, përkitazi me zgjedhjen e Myftiut, është i papranueshëm për Bashkësinë Islame, institucionet dhe besimtarët islam të Kosovës. Asnjë Lëvizje a subjekt politik a jo politik nuk ka të drejt të përzihet në proceset brenda BIK, e më së paku në procesin zgjedhor. Zgjedhjet në BIK, si gjithherë do të mbahen në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe aktet normative që janë në fuqi, larg çdo interferimi të ndonjë subjekti kush do qoftë ai” thuhet në reagimin e BIK.
“Po ashtu, për ne është befasues edhe qëndrimi i KLMDNJ-së për mbledhjen e fundit të Kuvendit të BIK. Me qëndrimin e shfaqur KMLDNJ është vënë vet në lajthitje, por në të njëjtën kohë ka vënë në lajthite edhe opinion publik, mese vë në dyshim kredibilitetin dhe seriozitetin e një institucioni të respektuar” thesohet në deklaratë.
Sipas BIK, KLMDNJ ka spekuluar dhe ka pasur për qëllim ta njollosë këtë institucion kur ka deklaruar se shkarkimi i Hamitit ka qenë veprim arbitrar dhe i kundërligjshëm si dhe përpjekje për të ngulfatur lirinë e shprehjes brenda BIK-ut.
” I kujtojmë KMLDNJ, dhe në të njëjtën kohë sqarojmë opinion e gjerë se Kuvendi i Bashkësisë Islame ditën e martë ka marrë vendim kundër bllokimit të institucioneve, kundër shantazheve, kundër fyerjeve e spekulimeve me të cilat është përballuar BIK dhe përfaqësuesit e saj, tash e sa kohë. Me gjithë vullnetin e mirë që të tejkalojmë situatën bllokuese kjo gjë ishte e pamundur, andaj kuvendarët me shumicën absolute kanë marrë vendim që tashmë është i njohur për opinionin” theksohet në komunikatë.
Sipas deklaratës së BIK’ut tashmë ka filluar një fushatë kundër këtij institucioni.
” Andaj, apelojmë te të gjithë që mos të bien pre e fushatës denigruese që është marrë kundër BIK, ngase BIK është institucion i konsoliduar e stabël, tashmë i dëshmuar që ka përballuar stuhinë e kuqe moniste dhe okupimin dhe do tejkalojmë edhe këtë “stuhi” të ngritur në gotë uji”./Express/