Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 14:29

Bruksel-Marrëveshja për bashkëpunimin rajonal e arritur të premten e kaluar mes Prishtinës dhe Beogradit do ti mundësojë Kosovës të flasë me zërin e saj në më shumë se 35 forume rajonale.

Kështu ka deklaruar përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme në BE, Catherine Ashton pasi priti në një takim kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi në Bruksel.

Ashton ka përshëndetur vendimin që Komisioni Europian të nisë studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në ndërsa nuk kanë mungurar lavdet për kryeministrin Thaçi.

“Dua tju vlerësoj edhe një herë zoti kryeministri, të vlerësoj vizionin dhe lidershipin tuaj. Këto marrëveshje janë të rëndësishme. Marrëveshja për bashkëpunimin rajonal do ti mundësojë Kosovës pjesëmarrjen në 35 forume rajonale. Ajo mund të nënshkruajë vetë marrëveshjet dhe ju tashmë e dini se UNMIK ka njoftuar se do tja lërë këtë rol Kosovës”-tha shefja e diplomacisë europiane Ashton.

Ndërsa kryeministri Thaçi tha se bie dakord me zonjën Ashton se e ardhmja e Kosovës dhe të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE dhe NATO.

“Besoj se hapat që po bëjmë janë të vështirë për shkak të së kaluarës por janë thelbësorë për perspektivën tonë europiane.”-tha Thaçi. Takimi i sotëm në Bruksel, vjen vetëm disa ditë pas marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal mes Kosovës e Serbisë. (LajmeShqip.com)