Lajme Shqip Tuesday, 06 September 2011 17:06

Bruksel – Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, baronesha Catherine Ashton, gjatë takimit të sotëm në Bruksel me Presidenten kosovare, Atifete Jahjaga, theksoi se, “është e qartë se Kosova ka të ardhme evropiane dhe kjo është rrugë normale e përcaktuar për të gjitha vendet e tjera, kritere që duhet të përmbushen dhe që nuk janë të veçanta vetëm për Kosovën”.

Baronesha Ashton tha se,”Kosova duhet të ketë një bashkëpunim më të mirë dhe bashkërendim me misionin e EULEX-it dhe të KFOR-it”.

Lidhur me aksionin në veri të Kosovës, Ashton tha se “jemi të pakënaqur me aksionin unilateral në këtë pjesë dhe kjo nuk duhet të përsëritet më”.

Baronesha Catherine Ashton duke e nxitur Presidenten që të vazhdojë punën me komunitetet në Kosovë, tha se “dialogu i filluar ka dhënë rezultate dhe duhet të vazhdojë në këtë frymë dhe të dyja vendet duhet të komunikojnë dhe të shpjegojnë të mirat e arritjes së këtyre marrëveshjeve”.

Presidentja kosovare u shpreh se,”Kosova dhe populli i saj duhet të kenë një rrugë të qartë për liberalizimin e vizave, për marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe për bashkëpunimin ekonomik. Kosova është pjesë e Evropës dhe ka të ardhme evropiane dhe ndihma e deritanishme e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë ishte sukses”.

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, duhet të ketë sukses dhe rezultatet tashmë po shihen dhe duhet të punohet më shumë në komunikim, për shpjegimin e marrëveshjeve dhe dobitë që sjellin ato për qytetarët e të dyja vendeve”, nënvizoi Jahjaga.

Ajo tha se, “misioni i EULEX-it do të jetë i suksesshëm kur ta përmbyllë misionin dhe t’i mbartë kompetencat në institucionet e Kosovës dhe kjo mund të arrihet vetëm në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha strukturat e institucionet e Republikës së Kosovës”.

Sipas burimeve zyrtare të Presidencës së Kosovës Ashton dhe Jahjaga ranë dakord që komunikimi ndërmjet Kosovës dhe BE-së të jetë më i shpeshtë e më i rregullt, si dhe të evidentohen përparimet dhe të gjenden zgjidhjet praktike.