Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 10:09

Prishtinë – Cathrine Ashton ka dënuar dhunën që ka zënë vend në veri të Kosovës, duke thënë se dhuna kurrë nuk do të tolerohet. 
“E dënoj fuqishëm dhunën në veri të Kosovës. Zhvillimet e fundit janë të papranueshme”, thuhet në deklaratën e saj. 
“Është përgjegjësi e Beogradit dhe e Prishtinës që menjëherë t’i zbusin tensionet dhe të vendosin rendin dhe sigurinë për të gjithë. Dhuna kurrë nuk do të tolerohet, ndërsa veprimet e njëanshme nuk janë rruga për të ecur përpara”, ka thënë kryediplomatja evropiane. 
Një grup i serbëve ekstremistë, të cilët ishin të armatosur dhe të maskuar, mbrëmë kanë sulmuar pikën doganore 1, të cilën e kanë djegur, ndërsa kanë tentuar t’i vënë flakën edhe pikës 31, por janë zmbrapsur nga forcat e KFOR-it. Në pamundësi që të djegin pikën doganore, ekstremistët kanë djegur disa objekte në afërsi të kufirit. Tani të dy pikat janë nën kontrollin e KFOR-it.