Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 09:55

Tiranë – Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton deklaroi dje, në Ditën e të Drejtave të Njeriut, se “Bashkimi Evropian nderon mbrojtësit e të drejtave të njeriut, të cilët ia kushtojnë jetën e tyre promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut nëpër botë”.

Në një njoftim për shtyp të zyrës së BE-së në Tiranë, thuhet se këtë vit, Dita e të Drejtave të Njeriut përqendrohet në punën e mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe në mënyrën se si mund të përdoren mediat sociale për të promovuar dhe çuar drejt ndryshimit.

“Pranvera arabe na bën të kujtojmë më shumë se zakonisht se të drejtat e njeriut janë universale dhe se njerëzit kudo aspirojnë të jetojnë në dinjitet dhe liri. Në vitin 2011, mijëra njerëz vendosën se kishte ardhur koha të kërkojnë të drejtat e tyre. Mediat sociale përcollën mesazhin e tyre dhe lejuan aktivistët dhe individët të dalin nga izolimi i tyre, të shpërndajnë idetë dhe të denoncojnë shtypjen”, thuhet në këtët deklaratë.

Përdorimi i mediave sociale për të promovuar të drejtat e njeriut nuk duhet të kufizohet nga qeveritë, vijon Ashton, ndërsa thekson se “Bashkimi Evropian vazhdimisht ka dënuar në mënyrë publike kufizimet ndaj lirisë së shprehjes dhe aksesit në internet, si edhe ndaj arrestimit të shkruesve të blogjeve në shumë vende të botës”.