Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 18:52

TIRANË – Kryetari i Shtetit shqiptar Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani morën pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti amerikan Barack Obama, për krerët e shteteve dhe të qeverive pjesëmarrës në sesionin e 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Gjatë vizitës në SHBA, kreu i shtetit shqiptar mbajti një fjalim në sesionin e 67-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, mbi Shtetin e së Drejtës si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Presidenti Nishani e vuri theksin në konsolidimin e sundimit të ligjit në Shqipëri, i cili është shndërruar në parimin udhëheqës për një demokraci të re dhe të fuqizuar si dhe në gurin themeltar të një shoqërie të konsoliduar e në harmoni, të një ekonomie tregu të hapur e solide, të një qëndrueshmërie rajonale dhe paqeje dhe sigurie afatgjatë. 

Panariti-Clinton: Marrëdhëniet mes dy vendeve, në nivel të shkëlqyer
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministri Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, mori pjesë në darkën e shtruar nga Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, për nder të delegacioneve të vendeve anëtare të NATO-s.

Siç bën të ditur zyra e shtypit e MPJ-së, gjatë këtij aktiviteti, Ministri Panariti zhvilloi një bisedë me zonjën Clinton, ku u rikonfirmua edhe një herë niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ministri Panariti vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i ka dhënë Shqipërisë dhe çështjes shqiptare. Me këtë rast, ai shprehu dëshirën që Clinton të vizitojë Shqipërinë në vigjilje të kremtimeve për 100-Vjetorin e Pavarësisë.

Nga ana e saj, Clinton vlerësoi zhvillimet pozitive në Shqipëri në kuadrin e procesit të marrjes së statusit kandidat në BE dhe shprehu mbështetjen e administratës amerikane në këtë drejtim.

Gjithashtu, ajo përshëndeti kontributin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s në shërbim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë.
Sekretarja amerikane e Shtetit, gjithashtu, u shpreh se ky është një vit i shënuar për popullin shqiptar, duke premtuar një vizitë në Shqipëri. (LajmeShqip.com)