Lajme Shqip Monday, 12 September 2011 12:45

Prishtinë – Gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë nuk janë kthyer as të hënën në objektin e gjykatave në veri të Mitrovicës, edhe pse një kthim në objektet e drejtësisë në veri të Mitrovicës ishte paralajmëruar nga EULEX-i.

Sipas burimeve, moskthimi i gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë ka të bëjë më skadimin e marrëveshjes më 16 shtator për pikat kufitare në veri të vendit, ku institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar dërgimin e doganierëve dhe të policëve ndërsa Serbia ka kërcënuar me radikalizim të serbëve në veri të Kosovës.

EULEX-i, nga frika e ndonjë eskalimi, ka marrë vendim që të mos i dërgojë punëtorët e drejtësisë në objektet e tyre në veri. Gjykatat në veri të Mitrovicës janë jashtë funksionit që nga 20 shkurti i vitit 2008.

Nikolla Kabashiq, i ashtuquajtur kryetari i Gjykatës në veri të Mitrovicës, ka thënë se komuniteti serb dhe punëtorët gjyqësorë në veri të Kosovës, kanë marrë garanci të forta nga EULEX-i se nuk do t’i sjellë të hënën prokurorët dhe gjykatësit shqiptarë në veri të Mitrovicës.

Me punë në këto gjykata do të vazhdojë stafi i EULEX-it, dhe nëse ndonjëherë arrihet zgjidhje që gjyqtarët lokalë të punojnë në këto gjykata, atëherë ne do ta pranojmë një marrëveshje të tillë, ka nënvizuar Kabashiq. Sipas tij, EULEX-i ka dalë nga statusi neutral dhe mandati themelor, për çka është prezent në Kosovë. Askush në këto gjykata në veri të Mitrovicës nuk mund të gjykojë me ligje të Kosovës. Ai ka thënë se “jemi duke e përcjellur punën e EULEX-it dhe kemi informacione se kohët e fundit janë duke punuar sipas ligjeve të Kosovës, për çka ne nuk jemi të informuar dhe nuk e kemi dhënë pëlqimin tonë”.

“Nëse veprohet kundër vullnetit të serbëve të veriut të Mitrovicës dhe të Kosovës, atëherë punëtorët gjyqësorë serbë do t’i radikalizojnë protestat e tyre dhe do të shqyrtohen mundësi të tjera veprimi”, ka thënë Nikolla Kabashiq. (LajmeShqip.com)