Lajme Shqip Friday, 13 April 2012 17:15

Elbasan-Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u shpreh të premten nga qyteti i Elbasanit, se ka një boshllëk të besimit mes dy palëve, i cili është edhe përgjegjës për krizën politike të krijuar në vend.

“Ky boshllëk ka ndikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE nga ana e Shqipërisë”, deklaroi Ambasadori Arvizu pas një takimi të zhvilluar me disa nga qytetarët elbasanas që strehojnë vullnetarët e Korpusit të Paqes.

Duke komentuar situatën politike në vend, veçanërisht zhvillimet gjatë seancës së djeshme në Kuvendin e Shqipërisë, Arvizu tha se “duhet të ruajmë shpresën që të arsyetuarit mund të ruhet, por duhet të jemi realist se të dy palët nuk e besojnë njëri tjetrin.

“Dhe njerëzit pyesin, çfarë mund të bëjmë ne ndërkombëtarët? Por ndoshta në mënyrë të vogël ne do të bëjmë atë që të mund të ndërtojmë besimin mes palëve, duke përdorur dëshirën që vjen nga këshilltarët e ODIHR dhe Komisionit të Venecias”-shtoi ambasadori.

Ai tha se janë qytetarët ata që i vuajnë  pasojat e kësaj situate konfliktuale mes palëve politike. (LajmeShqip.com)