Lajme Shqip Wednesday, 31 August 2011 13:17

Tiranë – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha priti sot ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, të cilin e informoi mbi projektet e tij për administrimin e qytetit.

Basha e njohu ambasadorin Arvizu mbi planet e Bashkisë për mbrojtjen e konsumatorit, decentralizimin, reformat strukturore, reduktimin e barrierave fiskale, thithjen e investimeve të huaja, projektet në infrastrukture etj.

Nga ana e tij, Arvizu shprehu mbështetjen dhe gadishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme të përbashkëta me Bashkinë e Tiranës, si reduktimi i barrierave ndaj biznesit, reforma fiskale dhe promovimi i qytetit.

Kryebashkiaku Basha e falenderoi z. Arvizu për mbështetjen dhe ftoi biznesin amerikan të bëhet pjesë e investimeve dhe projekteve zhvilluese për qytetin.

“E informova ambasadorin për prioritetet e punës sonë në drejtimet kryesore , në zhvillimin ekonomik të Tiranës dhe rritjen e shanseve për punësim, në përmirësimin e cilësisë së jetës nëpërmjet ndërhyrjeve urbane dhe nëpërmjet një qeverisjeje më transparente, më efikase dhe më në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe gjithë aktorëve ekonomikë e shoqërorë”, tha Basha për mediat pas takimit me dyer të mbyllura, që zgjati rreth 40 min.

Kryebashkiaku tregoi se ka marrë mbështetjen e ambasadorit të SHBA-ve, nëpërmjet programeve të Ambasadës e programeve të qeverisë amerikane, për të mbështetur përpjekjet e Bashkisë së Tiranës në të gjithë këto fusha.

“Kemi një traditë shumë të gjatë të bashkëpunimit me Kryetarin e Bashkisë, Basha, gjatë të gjithë funksioneve që ai ka patur më herët, si Ministër i Punëve të Brendshme, Ministër i Punëve të Jashtme e gjithashtu gjatë punës që ai ka zhvilluar në Kosovë, kështu që presim me kënaqësi edhe zhvillimin e kësaj marrëdhënieje të re me të” theksoi ambasadori Arvizu.