Lajme Shqip Tuesday, 06 December 2011 15:40

Tiranë – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu si dhe ai i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi i kërkuan sot qeverisë shqiptare të mbështesë shoqërinë civile si dhe të jetë partnere për ndërmarrjen e reformave.

Gjatë seminarit “Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm për organizatat e shoqërisë civile” që u mbajt të martën në Tiranë, në kuadrin e programit “People to People”, Ambasadori i SHBA-së, Arvizu theksoi se duhet një bashkëpunim më i madh mes qeverisë dhe shoqërisë civile. “Qeveria duhet të jetë partnere për reformat dhe duhet të sigurojë transparencë”, deklaroi Arvizu.

Duke folur për drejtësinë, Ambasadori Arvizu tha se “imuniteti pengon drejtësinë dhe se drejtësia nuk funksionon sipas rregullave”.

Ndërkohë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi tha se qeveria është përgjegjëse që zëri i qytetarëve të dëgjohet. “BE ka mbështetur shoqërinë civile me rreth 1.2 milionë euro. Fondet janë akorduar për nxitjen e shoqërisë civile, por që shoqëria civile të funksionojë duhet të ketë një përmirësim të dialogut mes qeverisë dhe shoqërisë civile”, deklaroi Sequi.

Sipas Sequit, ka nevojë për përmirësim të legjislacionit ashtu si edhe për mbrojtje nga qeveria.

Ministri i Financave, Ridvan Bode i pranishëm në tryezën e zhvilluar tha se, qeveria ka mbështetur organizatat jo fitim prurëse. “OJF-të janë përjashtuar nga Tatimi mbi Fitimin”, deklaroi ai.

Sipas kreut të financave publike, ka përpjekje për përjashtimin e OJF-ve nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, por u shpreh ai më tej, ky lloj përjashtimi nuk mund të bëhet për të gjitha llojet e shërbimeve. Ministri i Financave, duke pranuar se ka boshllëqe në kuadrin ligjor, bëri të ditur se po punohet për përmirësimin e tij. Ai tha se, deri në fund të muajit do të përfundojë hartimi i kuadrit të plotë ligjor për OJF-të.