Lajme Shqip Friday, 02 September 2011 16:02

Tiranë – Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu deklaroi të premten se “pjesëmarrja e opozitës në Kuvend është forma më e mirë për të plotësuar reformat e rëndësishme për vendin”.

Me ftesë të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, ambasadori i SHBA-së dhe shefja e re e sektorit politik dhe ekonomik të ambasadës amerikane, Jenifer H. Moore bënë sot paradite një vizitë në selinë rozë.

Pas takimit ambasadori Arvizu tha për gazetarët se, “Rama është shprehur i hapur për dialog dhe së bashku kanë diskutuar dhe për axhendën në parlament dhe atë integruese të vendit në BE”.

Ndërkohë sipas një deklarate zyrtare të PS-së, Rama e njohu në detaje ambasadorin Arvizu me kursin e ri politik të bërë publik nga partia më e madhe në vend gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë së saj Kombëtare, si edhe me qëndrimin e Partisë Socialiste lidhur me disa shqetësime me interes kombëtar e publik.

Sipas deklaratës ,”ambasadori Arvizu shkëmbeu me kryetarin e opozitës një sërë pikëpamjesh përmes një dialogu miqësor, ku nënvizoi rëndësinë e madhe që ka për Shqipërinë ecuria e procesit demokratik në funksion të integrimit të vendit dhe mbështetjen e qeverisë së tij për ecurinë e këtij procesi”.

Bashkëbiseduesit ranë në një mendje jo vetëm për rëndësinë e kontributit të secilës palë, që parlamenti të funksionojë si duhet, por edhe për nevojën që ligjet të zbatohen dhe të mos mbeten vetëm në letër.

Kryetari Rama e falenderoi edhe njëherë ambasadorin e SHBA për kontributin publik në ndihmë të procesit zgjedhor të 8 majit.