Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 12:39

Tiranë – Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu deklaroi sot se presidenti i ri duhet të zgjidhet mes konsultimeve aktive mes palëve kryesore të interesuara, sepse roli i presidentit është shumë i rëndësishëm për këtë vend.

I pyetur nga media pas takimit me kryetarin e Partisë Socialiste , Edi Rama, ambasadori Arvizu theksoi se, “sikurse kam thënë edhe më parë unë përpiqem t’i qëndroj larg termit president konsensual, sepse ai term specifik nënkupton gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm, por mua më pëlqen të përdor termin “konsultime aktive mes palëve kryesore të interesuara , sepse roli i presidentit është shumë i rëndësishëm për këtë vend, gjithashtu është i rëndësishëm edhe në arenën ndërkombëtare, si për SHBA-në edhe për shtetet e tjera anëtare të BE”.

“Duke parë rolin e rëndësishëm që luan presidenti në përzgjedhjen e krerëve të institucioneve kryesore si të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të kreut të Shërbimit Informativ Shtetërorë është e rëndësishme që të vendosen në këto pozicione kyçe njerëz të integritetit. Ne mund të flasim shumë gjatë për reformën në këto institucione, por për sa kohë në këto institucione nuk ka persona të integritetit, do të ishte qesharake që të flisnim më tepër për këto reforma”, nënvizoi ambasadori Arvizu.

Ambasadori i SHBA-së, u shpreh se, “është e rëndësishme që të largohemi larg farsave dhe të mund të ecim në rrugën e vërtetë të reformave në këtë vend . Për këtë arsye këta persona që do të zgjidhen për këto pozicione të jenë tejet kritikë e të rëndësishëm për këtë vend”.

Ndërsa lidhur me takimin e zhvilluar me kryetarin e PS-së, Rama, Ambasadori Arvizu tha se , “kemi diskutuar lidhur me sesionet, të cilat po zhvillohen në parlament për reformën zgjedhore, shqetësimet lidhur me papunësinë dhe situatën ekonomike në vend, për udhëtimin e fundit të Ramës në Preshevë, Kosovë e Maqedoni, dhe e inkurajova për këtë”.

“Një çështje për të cilën kemi biseduar edhe më parë është vizita e zotit Rama në SHBA, ndërsa biseduam edhe për këndvështrimin e tij për zgjedhjen e Presidentit, e cila do të zhvillohet këtë verë që vjen, si dhe për kursin e hetimeve të 21 janarit”, u shpreh Arvizu. (LajmeShqip.com)