Lajme Shqip Tuesday, 01 November 2011 11:54

Tiranë- Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri,  Aleksandër Arvizu, u shpreh ,  në tryezën e rrumbullakët Qeveri-Donatorë, organizuar nga qeveria shqiptare, se dialogu mes forcave politike do të bëjë të mundur përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Ai u bëri sërish apel partive politike të nisin dialogun për plotësimin e reformave të rëndësishme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Meqë synimi i Shqipërisë është integrimi në BE nevojiten përpjekje të shumta të mëtejshme. Tani është koha që partitë politike ta angazhojnë veten ndaj dialogut dhe të ripërqëndrojnë përpjekjet e tyre për të ecur përpara drejt një axhende kërkuese politike dhe ekonomike, që përfshin shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe reformën zgjedhore”, tha Arvizu.

Sipas tij, “që prej tryezës së rrumbullakët Qeveri-Donatorë dhjetorin e kaluar, kanë kaluar ngjarje të rëndësishme. Në muajin gusht raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit vërejti se ndonëse pati aspekte pozitive të zgjedhjeve, që përgatitën kushtet për progres në të ardhmen, ky progres kushtëzohet nga vullneti i të gjitha partive parlamentare për t’u angazhuar në reformën zgjedhore”.

“Në muajin tetor Komisioni Evropian paraqiti opinionin e tij të 2010-ës mbi gatishmërinë e Shqipërisë për t’u bërë vend kandidat për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Sipas opinionit, ndonëse u bë përparim gjatë vitit të shkuar në disa prej 12 prioriteteve kyç të identifikuara në opinion mbi kërkesën për anëtarësim të Shqipërisë në BE, kushtet për çeljen e negociatave të anëtarësimit nuk janë plotësuar ende”, theksoi ambasadori i SHBA-së.

Ai shtoi se “të gjithë donatorët supozojnë që qeveria do të udhëhiqet nga opinioni i Komisionit Evropian për punën e saj në të ardhmen. Ata do të mbeten të gatshëm për ta ndihmur qeverinë në përmbushjen e saj në të gjithë planet për të ardhmen, që burojnë prej këtyre rekomandimeve”.

Sipas ambasadorit Arvizu, “brenda komunitetit të donatorëve, viti i kaluar ka qenë një periudhë vlerësimesh dhe ripozicionimi”.